Secondary Adv

Bashkia Tiranë hap tenderin 14.6 mln lekë për sistemin e aboneve falas të pensionistëve

Bashkia e Tiranës ka hapur një tender me fond limit 14,583,333 lekë pa TVSH, ose rreth 157 mijë euro, për ngritjen e një sistemi informatik që do të menaxhojë procesin e aboneve falas të transportit urban për pensionistët.

Sistemi i ri synon të centralizojë të gjithë procesin, nga identifikimi dhe regjistrimi i pensionistëve deri te verifikimi i të dhënave, shpërndarja e aboneve dhe raportimi. Sipas specifikimeve të tenderit, Bashkia e Tiranës ka nisur skemën e aboneve mujore falas për pensionistët dhe kërkon tashmë një sistem unik për administrimin e saj, proces që aktualisht zhvillohet në bashkëpunim me operatorët e transportit urban.


Një nga funksionet kryesore të platformës do të jetë shmangia e përfitimit të dyfishtë. Sistemi duhet të verifikojë automatikisht pensionistin përmes Numrit Personal (NID), të mos lejojë regjistrime të dyfishta dhe të bllokojë mundësinë që i njëjti person të ketë më shumë se një abone aktive. Operatori i transportit do të mund të kontrollojë në sistem nëse aboneja për muajin përkatës është tërhequr dhe të konfirmojë elektronikisht dorëzimin e saj.


Deri në 20 pajisje të reja për skanimin e dokumenteve

Tenderi përfshin gjithashtu furnizimin me deri në 20 pajisje të reja skanimi OCR/MRZ, të cilat do të përdoren nga njësitë administrative dhe operatorët e transportit për leximin e kartave të identitetit dhe pasaportave.


Bashkia disponon aktualisht 40 pajisje ekzistuese skanimi dhe sistemi i ri duhet të jetë plotësisht i pajtueshëm me to. Sasia prej 20 pajisjesh të reja është përcaktuar si nevojë maksimale dhe pajisjet do të lëvrohen vetëm kur të kërkohen nga Bashkia e Tiranës.


Raportim dhe gjurmim i veprimeve në sistem

Sipas dokumenteve shoqëruese, platforma duhet të ruajë historikun e veprimeve të përdoruesve dhe të mundësojë gjenerimin e raporteve ditore, javore, mujore dhe vjetore. Të dhënat duhet të mund të eksportohen edhe në formate si Excel, CSV dhe PDF.


Specifikimet kërkojnë gjithashtu që gjurmët e auditimit të jenë të pamodifikueshme, ndërsa të dhënat personale të pensionistëve duhet të ruhen dhe të përpunohen në mënyrë të sigurt.


Afati për paraqitjen e ofertave në tender është 18 shtator 2026, ora 10:00.


Burimi: Ekofin


Më të lexuarat